Blerim Shera – Kryetar i Bashkisë Vorë
Blerim Shera ka lindur në Tiranë më 9 mars 1984. Ai ka përfunduar studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale, në degën Filozofi-Sociologji. Gjithashtu, ka kryer disa specializime dhe mban titullin “Master Profesional” në profilet “Psikolog në Institucione” dhe “Drejtim dhe Administrim Arsimi”. Më tej, ka ndjekur ciklin e studimeve të doktoraturës pranë Universitetit të Tiranës.
Veprimtaria e tij profesionale dhe kërkimore është fokusuar kryesisht në fushën e politikave sociale. Gjatë viteve 2008–2022, ai ka ushtruar detyrën e punonjësit psikosocial në disa institucione arsimore të Bashkisë Vorë. Përgjatë kësaj periudhe, ka ndjekur një sërë trajnimesh profesionale dhe ka fituar eksperiencë të konsiderueshme në grupet teknike ndërsektoriale, trajtimin psikosocial dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Blerim Shera është i martuar, prind i një djali dhe një vajze. Familja e tij është e lidhur ngushtë me qytetin e Vorës, ndërsa prindërit e tij kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit dhe gëzojnë vlerësim të lartë në komunitet.
Më 6 mars 2022, Blerim Shera u zgjodh Kryetar i Bashkisë Vorë.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ai fitoi mandatin e dytë në drejtimin e Bashkisë Vorë.
“Me përkushtim, transparencë dhe bashkëpunim me qytetarët, vizioni ynë mbetet zhvillimi i qëndrueshëm dhe ndërtimi i një Vore më të mirë për çdo familje.”
